Vdiqën pesë emigrantë, barka e tyre u përmbyt gjatë shpëtimit afër Maltës
Pesë emigrant, përfshirë një grua, vdiqën, kur barka e tyre u përmbyt përderisa po bëhej një përpjekje për shpëtimin e tyre afër Maltës të premten, thanë forcat e armatosura të këtij shteti.
Tetë persona të tjerë u lënduan dhe u dërguan në spital, përfshirë dy që kanë gëlltitur sasi të konsiderueshme të ujit të detit dhe karburantit, raporton agjencia “Reuters”.
Nënkomandanti i Forcave të Armatosura të Maltës, Kolonel Edric Zahra, u tha gazetarëve se incidenti ndodhi rreth mesditës, kur barka e gjatë tetë metra ndodhej rreth 6,5 kilometra në jug të Maltës.
Rreth 21 emigrantë u shpëtuan dhe u dërguan në një qendër emigrantësh. Besohet se ata janë nga Siria, Eritrea, Etiopia dhe Egjipti.
Shumica e emigrantëve që lundrojnë me barka, synim e kanë Italinë. Vitin e kaluar raportohet se forcat e armatosura malteze shpëtuan 380 emigrantë në det.