Vdiq njëri nga nxënësit e plagosur në shkollën e Finlandës
Njëri nga nxënësit e plagosur gjatë të shtënave në një shkollë në Finlandë ka vdekur, bëri të ditur policia finlandeze.
Më herët u raportua se tre nxënës të moshës 12-vjeçare ishin plagosur në shkollën “Viertola” në qytetin Vantaa.
Policia tha se një i dyshuar, gjithashtu i moshës 12-vjeçare, kishte ikur nga vendi i ngjarjes, por më pas u arrestua, raporton televizioni BBC.
Shkolla ku ndodhi sulmi ka 800 nxënës e 90 pjesëtarë të stafit. Fëmijëve iu bë apel që të qëndronin në klasë pas sulmit, raportoi transmetuesi publik.
Policia tha se i dyshuari u ndalua “në mënyrë të qetë” në anën tjetër të një lumi, në një distrikt verior të pjesës veriore të Helsinkit. Policia shtoi se i dyshuari ishte duke bartur një armë zjarri, e cila iu konfiskua.
Kryeministri Petteri Orpo e përshkroi sulmin si thellësisht shqetësues dhe tha se mendimet e tij janë me viktimat dhe me familjet e tyre si dhe me secilin person në shkollën ku ndodhi rasti.
Vantaa është qyteti i katërt më i madh në Finlandë me rreth 240 mijë banorë.