Vdiq në burgun izraelit mjeku palestinez, Dr. Adnan Al-Bursh
Mjeku palestinez, Dr. Adnan Al-Bursh, ka vdekur në një burg izraelit pas më shumë se katër muajve të mbajtjes në ndalim, kanë thënë shoqatat e të burgosurve palestinezë.
Mjeku 50-vjeçar ishte drejtor i repartit të ortopedisë në spitalin “Al-Shifa”, raporton televizioni BBC.
Shërbimi izraelit i burgjeve konfirmoi se një deklaratë e publikuar më 19 prill për një të burgosur që ishte ndaluar për arsye të sigurisë kombëtare dhe që kishte vdekur në burgun “Ofer” ishte mjeku Al-Bursh.
Nuk u dhanë hollësi për shkaktarin e vdekjes, ndërsa shërbimi i burgjeve tha se incidenti ishte duke u hetuar.
Sidoqoftë, grupe për të drejtat e të burgosurve palestinezë thanë në një deklaratë të përbashkët të enjten se vdekja e këtij mjeku është “vrasje” dhe se trupi i tij ende mbetej në mbajtje të izraelitëve.
Dr. Al-Bursh punonte si shef i repartit të ortopedisë në spitalin më të madh të Gazës, i cili është bastisur disa herë nga forcat e armatosura izraelite.
Ai ishte duke punuar përkohësisht në spitalin “Al-Awda” në veri të Gazës, kur ishte arrestuar nga forcat izraelite.