Vdes 16-vjeçari që ishte plagosur nga zyrtari policor në Istog
Ka ndërruar jetë i mituri G.K. i cili u plagos aksidentalisht nga zyrtari policor Fatjon Hoti, 10 ditë më parë në fshatin Dubravë të Istogut.
Lajmin për Gazetën Nacionale e ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
“Ka ndërruar jetë viktima. Prokurori i shtetit ka urdhëruar të bëhet obduksioni.” – tha Nikçi.
16-vjeçari ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej që nga dita e plagosjes pas plagëve të rënda që i mori nga arma e zjarrit.
Në ditën kur kishte ndodhur ngjaja kritike, Inspektorati Policor i Kosovës kishte suspenduar nga puna zhytarin policor Fatjon Hoti.
Gjithashtu ishte bërë e ditur se zyrtari policor kishte përdorur armën zyrtare, ndërsa ai me viktimën kishin lidhje familjare.
“Sot (16.07.2024) pas mesnatës IPK ka pranuar një informacion nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me armë zjarri në fshatin Dubravë të Istogut ku një person ishte plagosur në kokë. Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar”.
“Personi i plagosur në këtë rast (i moshës 16 vjeçare i cili ka lidhje familjare me policin) është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë”.
“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare”.
“Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. – thuhet në komunikatën e lëshuar nga IPK-ja.