Vazhdon të rritet numri i të vdekurve në Iran e Liban
Televizioni CNN raportoi për sulme në mbarë Lindjen e Mesme të hënën, përderisa Izraeli i vazhdoi sulmet ndaj Iranit dhe Libanit.
Autoritetet iraniane nuk e kanë përditësuar numrin zyrtar të të vdekurve për më shumë se një javë, por ministri i Jashtëm tha të hënën se “qindra civilë iranianë”, përfshirë më shumë se 200 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i konfliktit.
Në Liban, të paktën 886 njerëz janë vrarë që nga fillimi i sulmeve izraelite më 2 mars, tha të hënën Ministria e Shëndetësisë, e cila shtoi se në këtë numër përfshihen 111 fëmijë.
Në Irak, dy burime të sigurisë i thanë të hënën televizionit CNN se të paktën 47 njerëz janë vrarë në këtë shtet që nga fillimi i konfliktit. Në mesin e të vrarëve është edhe një ushtar francez.
Në Izrael, së paku 15 izraelitë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit. Këtu përfshihen edhe dy ushtarë izraelitë të vrarë më 8 mars në jug të Libanit.
Për më tepër, 13 ushtarë amerikanë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit, përfshirë gjashtë që vdiqën nga rrëzimi i një aeroplani ushtarak të enjten në Irak.