Vazhdojnë përplasjet në distancë, Kurti: Kur flet Serbia për dhunë, e ka për vete
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas vizitës në Doganën e Kosovës, Kurti ka thënë se kur Serbia flet për dhunë, e ka për veten.
“Së pari edhe në bazë të fitores së shkurtit të vitit të kaluar unë jam kryeministër i shpresës dhe i progresit ndërsa në serbi keni një president të frikës dhe kërcënimit. Kur flasin për dhunë në Serbi flasin për vete nuk flasin për republikën tonë, për ne flasin instituicionet”, tha Kurti.
“Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore mirëpo me 31 korrik u ngritën ato barrikada prej njerëzve që kishin nxitur dhe organizuar e financuar strukturat paralele që u bënë banda kriminale pra kur ata flasin flasin për vete ne jemi për paqe dhe stabilitet afatgjatë. Jemi te doganat e Kosovës në vitin 2021 janë rritur mbi 30% të hyrat në dallim me vitin 2020. Këtu konstatojmë progresin e Kosovës. Ne duhet ta mbrojmë këtë progres dhe ka autokratë që janë të shqetësuar me progresin e Kosovës, mos harroni se deklaratat e Beogradit kur folin për Kosovën janë duke folur për vete”, deklaroi më tutje ai.