Vasfije Krasniqi i shkruan Kurtit, Osmanit e KGjK-së: Rishqyrtoni rastet e refuzuara për të mbijetuarat e dhunës seksuale
Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale, ka njoftuar se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës ka filluar procesin e aplikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë kontekst, Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që të të angazhohen për ishqyrtimin e rasteve të refuzuara.
Krasniqi-Goodman më herët u kishte bërë thirrje të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që të lajmërohen në institucione që t’u njihet statusi i tyre.
Postimi:
Letër e hapur
Komisioni Qeveritar/NJVSPDHLÇK ka rifilluar procesin e aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Personalisht kam takuar qindra viktima, shumë prej të cilave u është refuzuar paarsyeshëm statusi. Si viktimë, që kam kaluar gjithashtu nëpër një proces të mundimshëm verifikimi kërkoj nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të angazhohen që rastet e refuzuara të shqyrtohen, dhe të mbijetuarave që me vite po presin vendimet e gjykatave t’u njihet statusi. Është humbur shumë kohë dhe shumë viktima kanë vdekur në errësirën e traumës së tyre, Ju lutem mos lejoni që kjo të ndodhë edhe me të tjerat.