Vapa rekorde e pranvera e thatë lënë pa ujë disa pjesë të Anglisë - NACIONALE

Vapa rekorde e pranvera e thatë lënë pa ujë disa pjesë të Anglisë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Mijëra amvisëri në juglindje të Anglisë mbetën pa ujë ose u ballafaquan me shtypje të ulët gjatë një vale vape rekorde këtë javë, pasi kërkesa e madhe e pasoi pranverën e thatë, duke i shpërfaqur pikat e dobëta të infrastrukturës që po vjetrohet në shtetin ishullor.

Nga mungesa e ujit u prekën më shumë se 20 mijë njerëz në kulmin e saj, përfshirë rreth 8 mijë banorë që mbetën pa furnizim në qytezën Whitstable, tha një zyrtar për menaxhimin e incidenteve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Britania, njësoj si një pjesë e madhe e Evropës, është prekur nga një valë e vapës gjatë javës së fundit, duke shkaktuar rritje të kërkesës për ujë, përderisa reshjet e shiut, që ishin dukshëm nën mesataren në mars dhe prill, lanë disa rezervuarë nën trysni, sipas Agjencisë së Mjedisit.

Viteve të fundit është shtuar zemërimi për mungesën e investimeve në rrjete nga kompanitë e privatizuara të ujit, gjë që ka çuar në rrjedhje të rregullta.

Në qytezën Whitstable, shumë biznese u detyruan që të mbylleshin gjatë njërës prej javëve më të ngarkuara të vitit, që përkoi me një pushim në shkolla.

“Nëse nuk mund t’i pastrosh duart, nuk mund të përgatisësh ushqim” – tha i shqetësuar Mark Kidd, pronar i një kafeneje, duke theksuar se zonat më të nxehta të botës kanë arritur që ta mbajnë funksional furnizimin me ujë.

Kompania e ujit “South East Water” ka kërkuar falje për problemet në furnizim, duke thënë se temperaturat jashtëzakonisht të larta kanë krijuar kërkesë shumë të madhe.

Lajme të ngjashme