Ushtria izraelite pranon se hapi zjarr ndaj veturës ku ndodhej 5-vjeçarja e vrarë në Gaza, nis hetim
Ushtria izraelite ka konfirmuar për herë të parë se hapi zjarr ndaj një automjeti ku ndodheshin 5-vjeçarja Hind Rajab dhe gjashtë anëtarë të familjes së saj në qytetin Gaza gjatë luftës në enklavë.
Fëmija palestinez fillimisht i kishte mbijetuar sulmit në janarin e vitit 2024, ku kishin mbetur të vrarë disa anëtarë të familjes, por trupi i saj u tërhoq disa ditë më pas, bashkë me të afërmit e saj, raporton televizioni BBC.
Pas sulmit, vogëlushja kishte arritur që t’i përgjigjej një telefonate nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, që zgjati disa orë. Një autoambulancë që u dërgua për te vendi ku ndodhej fëmija – veprim i bashkërenduar me ushtrinë izraelite – u sulmua, duke lënë të vrarë dy pjesëtarë të ekipit emergjent.
Në një deklaratë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se, pas një shqyrtimi, do të hapin një hetim penal.
“Për shkak të dështimeve të dyshuara në bashkërendimin me lëvizjen e autoambulancës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, është marrë vendim që të niset një hetim penal për incidentin nga Divizioni i Policisë Ushtarake për Hetime Penale” – u tha në deklaratë.
Ushtria izraelite fillimisht kishte deklarauar se askush prej trupave të saj nuk ndodhej në zonë në kohën e vrasjes së fëmijës. Megjithatë, ky pohim ishte vënë në pikëpyetje pak më vonë.
Vrasja e vajzës së vogël ishte dënuar ndërkombëtarisht, pas publikimit të një incizimi ku ajo dëgjohet duke folur me ekipin emergjent.