Ushtari amerikan deklarohet fajtor për akuzën se i kishte shitur sekrete Kinës - NACIONALE

Ushtari amerikan deklarohet fajtor për akuzën se i kishte shitur sekrete Kinës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një analist i Ushtrisë së ShBA-së është deklaruar fajtor për akuzën për konspiracion për shitjen e sekreteve ushtarake Kinës, ka njoftuar Departamenti i Drejtësisë.

Rreshter Korbein Schultz ishte arrestuar në mars pas një hetimi nga FBI-ja. Kundërzbulimi i Ushtrisë së ShBA-së dyshonte se ai ishte paguar 42 mijë dollarë në këmbim të dhjetëra dokumenteve të ndjeshme të sigurisë, raporton televizioni BBC.

Konspiracioni kriminal kishte filluar në qershorin e vitit 2022 dhe kishte vazhduar deri në arrestimin e ushtarit, thanë zyrtarët. Shqiptimi i lartësisë së dënimit për të është caktuar për muajin janar të vitit të ardhshëm.

Rreshteri Schultz, që kishte leje sigurie për të pasur qasje në të dhëna shumë sekrete, bëri konspiracion për të mbledhur informata me dikë që ai besonte se ishte duke jetuar në Hong-Kong, sipas dokumenteve të gjykatës.

Ai që gjoja ishte banor i Hong-Kongut kishte kërkuar nga rreshteri që të mblidhte të dhëna të njëshme në lidhje me mbrojtjen raketore dhe sistemet mobile të artilerisë, sipas dokumenteve të gjykatës.

Ushtari amerikan gjithashtu mblodhi të dhëna për aeroplanët luftarakë të ShBA-së, taktikat ushtarake dhe strategjinë e mbrojtjes të ShBA-së për Tajvanin, duke u mbështetur në atë që kishte mësuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Të martën, ai u deklarua fajtor për të gjitha akuzat kundër tij, përfshirë konspiracionin për të siguruar dhe zbuluar të dhëna të mbrojtjes kombëtare si dhe për ryshfet ndaj një zyrtari publik./Nacionale

Lajme të ngjashme