Ushakovi thotë se, për Rusinë, Ngushtica e Hormuzit është e hapur
Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha të enjten se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për Rusinë.
“Është e hapur për ne” – tha Ushakovi, duke folur në një kanal të televizionit shtetëror rus, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Lufta e ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit e ka shkaktuar ndërprerjen pothuajse të plotë të rreth një të pestës së naftës dhe gazit natyror të lëngëzuar të botës përmes kësaj ngushtice, duke sjellë pengesa në furnizim dhe rritje të çmimeve.
Në fund të marsit, Ministria e Jashtme e Rusisë deklaroi se e kundërshton bllokadën e Iranit në Ngushticën e Hormuzit, por shtoi se situata duhet të shikohet “në kontekstin e gjendjes më të gjerë globale”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Iranin me veprime ushtarake në rast se nuk e hap ngushticën dhe gjithashtu ka kërkuar ndihmë nga vendet e NATO-s për ta siguruar lundrimin e lirë të anijeve nëpër këtë rrugë të rëndësishme detare.