Uragani “Ian” e lë Kubën në errësirë të plotë
Kuba ka mbetur tërësisht pa energji elektrike, pasi uragani “Ian” e goditi pjesën perëndimore të ishullit, njoftoi qeveria e këtij vendi.
Zyrtarët thanë se sistemi elektrik është duke u ballafaquar me kolaps të plotë për shkak se njëri nga centralet kryesore nuk po mund të kthehet në punë, raporton televizioni BBC.
Dy persona u raportuan të vdekur pas dëmtimit të ndërtesave në pjesë të ndryshme të vendit.
Uragani i kategorisë së tretë, që solli erë me shpejtësi deri në 195 kilometrash në orë, tani po vazhdon drejt Floridës së Shteteve të Bashkuara.
Meteorologët kanë paralajmëruar se disa rajone të Kubës mund të keni deri në 30 centimetra reshje gjatë uraganit.
Mayelin Suarez, banore e Pinar del Rio-s, tha të hënën në mbrëmje se ishte “dita më e errët e jetës”, kur rajoni u godit nga stuhia.