Ukraina thotë se ka rrëzuar edhe një aeroplan spiun rus, A-50
Ukraina thotë se ka rrëzuar një aeroplan ushtarak spiun rus të tipit A-50 – pretendimi i dytë i tillë brenda pak më shumë se një muaji.
Aeroplani u godit mes qyteteve ruse Rostov-on-Don dhe Krasnodar, thanë burimet ushtarake ukrainase, mbi 200 kilometra larg vijës së frontit, raporton televizioni BBC.
Shërbimet emergjente thuhet se gjetën copëza të këtij aeroplani në distriktin Kanevskoy dhe shuan një zjarr.
Rusia nuk e ka komentuar këtë pretendim. E shtuna e shënon dyvjetorin e fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
Komandanti i Forcës Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, i falënderoi të premten forcat e tij dhe inteligjencën ushtarake për ndihmën e ofruar për rrëzimin e këtij aeroplani, i cili shfrytëzohet si aeroplan me radar me rreze të gjatë, dhe theksoi se incidenti bie në një datë kyçe të një feste ushtarake ruse.
“Përgëzime pushtuese për Ditën e Mbrojtësit të Atdheut” – shkroi ai në rrjetin “Telegram”.
Në video të publikuara në internet shihet momenti kur aeroplani duket se rrëzohet në ajër si dhe flaka e tymi i madh që duket se shfaqen pas përplasjes.
Më 14 janar, Ukraina pretendoi se kishte rrëzuar një aeroplan tjetër të këtij lloji.