Ukraina raporton për gjashtë të vrarë e dhjetë të plagosur nga një sulm rus në Kharkiv - NACIONALE

Ukraina raporton për gjashtë të vrarë e dhjetë të plagosur nga një sulm rus në Kharkiv

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjashtë civilë u vranë dhe dhjetë të tjerë u lënduan në orët e hershme të së shtunës nga një sulm rus në Kharkiv, që është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, thanë zyrtarët rajonalë.

Policia ukrainase tha se sulmi u krye me dronë dhe publikoi fotografi të zjarreve që kishin shpërthyer në rrugët e qytetit dhe pranë ndërtesave, raporton agjencia “Reuters”.

“Deri këtë mëngjes, janë gjashtë të vdekur e dhjetë të plagosur si rezultat i një sulmi të natës ndaj distriktit Shevchenkivskyi” – shkroi në rrjetin “Telegram” kryetari i qytetit, Ihor Terekhov.

“Sulmi goditi zona banimi – të paktën nëntë ndërtesa të larta, tri konvikte, një numër të ndërtesave administrative, një dyqan, një pompë benzine, një qendër shërbimesh dhe vetura u dëmtuan” – shtoi ai.

Në raportimet e lajmeve thuhet se sulmi ndodhi pak pas mesnatës.

Ushtria ukrainase tha se sistemet e mbrojtjes ajrore shkatërruan 28 nga 32 dronët dhe tri nga gjashtë raketat e hedhura nga Rusia.

Kharkivi, qytet që shtrihet në pjesën verilindore të Ukrainës, ka qenë shpesh në shënjestër Rusisë, ndërsa sulmet janë shpeshtuar javëve të fundit. Të mërkurën, një sulm me dron në qytet la të vrarë katër persona dhe dëmtoi rëndë blloqe banesore.

Lajme të ngjashme