Ukraina pret të martën një mysafir që s’pritej - NACIONALE

Ukraina pret të martën një mysafir që s’pritej

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, pritet të udhëtojë në Kiev të martën, sipas tri burimeve me njohuri rreth këtij plani. Kjo është vizitë e befasishme e njërit prej udhëheqësve evropianë me pikëpamjet më pro-ruse, që vjen në kohën kur Hungaria e merr presidencën e përkohshme të BE-së.

Dy burime në Budapest thanë se Orbani pritet të takohet në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Kjo do të jetë vizita e parë e kryeministrit hungarez në Ukrainën fqinje që nga fillimi i pushtimit të plotë rus para më shumë se dy vjetëve, raporton gazeta “The Guardian”.

Ndihmësi i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, refuzoi që të komentonte për ndonjë vizitë të mundshme, por një burim tjetër në Kiev e konfirmoi planin. “Orbani është këtu nesër [të martën], përpos nëse nuk ka ndryshim të minutës së fundit” – tha burimi.

Njëri nga burimet në Budapest tha se plani për udhëtimin e Orbanit erdhi bashkë pas bisedimeve të gjata rreth çështjes së të drejtave të pakicës hungarishtfolëse në Ukrainë, që jeton në skajin perëndimor të Ukrainës, afër kufirit mes dy vendeve.

“Ishte parakusht për takimin që çështja e të drejtave kombëtare të zgjidhej. Në javët e fundit, një marrëveshje është arritur. Ata do të jenë në gjendje që ta njoftojnë këtë si sukses” – tha një burim në Budapest me njohuri rreth përgatitjeve para vizitës.

Ndryshe nga shumica e shteteve evropiane, Hungaria vazhdimisht e ka vënë në pikëpyetje nevojën për ta mbështetur Ukrainën ushtarakisht dhe, në vend të kësaj, ka bërë thirrje për armëpushim. Pas fitores në zgjedhje parlamentare më 2022, Orbani e përfshiu Zelenskyn në një listë të “kundërshtarëve”, të cilët gjoja kishin bërë konspiracion kundër tij dhe e kishin përkrahur opozitën hungareze.

Ndërkohë, Budapesti ka mbajtur lidhje me Moskën dhe kryediplomati hungarez, Peter Szijjarto, ka bërë të paktën pesë udhëtime në Rusi që nga fillimi i luftës, së fundi në një forum ekonomik në Shën Petersburg muajin e kaluar./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme