Ukraina planifikon të kërkojë gati 44 miliardë dollarë nga Rusia për dëmet nga gazrat - NACIONALE

Ukraina planifikon të kërkojë gati 44 miliardë dollarë nga Rusia për dëmet nga gazrat

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ukraina planifikon që të kërkojë gati 44 miliardë dollarë nga Rusia për dëmet e lidhura me shtimin e gazrave që e ngrohin klimën, të liruara nga lufta që po vazhdon, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” një zëvendësministër ukrainas.

Kjo lëvizje e shënon herën e parë që një shtet do të kërkojë dëmshpërblim për dëme nga rritja e tillë e gazrave, përfshirë lëndët djegëse fosile, çimenton dhe çelikun e përdorur në luftime, si dhe nga shkatërrimi i drurëve përmes zjarreve që kanë qenë pasojë e tyre.

“Shumë dëme i janë shkaktuar ujit, tokës, pyjeve”- tha Pavlo Kartashov, zëvendësministër i Ekonomisë, Mjedisit dhe Bujqësisë.

“Kemi sasi të mëdha të gazrave shtesë CO2 dhe gazrave serrë” – shtoi ai në margjinat e samitit për klimën COP30, i cili po mbahet në Brazil.

Një anëtar i delegacionit rus në samitin COP30 refuzoi që ta komentonte paralajmërimin e Ukrainës, transmeton gazeta "Nacionale".

Eksperti holandez për llogaritjen e gazrave të karbonit vlerësoi se lufta ka gjeneruar 237 milionë tonë gazra shtesë të barasvlershme me CO2-shin që nga fillimi i luftës në shkurtin e vitit 2022, gati sa gazrat vjetore që lirohen në Irlandë, Belgjikë dhe Austri së bashku.

De Klerk tha se ai e ka ndihmuar Ukrainën për ta llogaritur shifrën e dëmit duke u mbështetur në një studim të vitit 2022, ku kostoja sociale e karbonit vlerësohej rreth 185 dollarë për ton.

Mbetet e paqartë se nga cilat mjete do të paguhej dëmshpërblimi që do të kërkohet. De Klerk sugjeroi se miliarda dollarët në asetet e ngrira ruse do të mund të përdoreshin për ta mbuluar koston e dëmshpërblimit.

Lajme të ngjashme