Turqia i refuzon ngushëllimet e ShBA-së, pretendon se ky shtet ka bashkëfajësi për shpërthimin
Ministri i Brendshëm i Turqisë i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për bashkëfajësi për shpërthimin që ndodhi të dielën në Stamboll, ku mbetën të paktën gjashtë të vdekur e dhjetëra të tjerë u lënduan.
Suleyman Soylu e refuzoi deklaratën e ngushëllimeve të Shteteve të Bashkuara gjatë një konference për gazetarë afër vendit të sulmit, pasi autoritetet arrestuan një grua siriane, e cila dyshohet se ka lidhje me militantët kurdë, raporton gazeta amerikane, “The Hill”.
“Theksoj edhe një herë se ne nuk i pranojmë dhe i refuzojmë ngushëllimet e ambasadës së ShBA-së”- tha ministri turk. Ai shtoi se deklarata e ShBA-së me ngushëllime është sikur “një vrarës të shfaqet i pari në skenën e krimit”.
Ambasada amerikane tha të dielën se është thellësisht e pikëlluar nga shpërthimi, duke shtuar: “Ne ua shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të atyre që e humbën jetën dhe dëshirën për shërim të shpejtë të lënduarve.”
Bomba shpërtheu të dielën në Bulevardin “Istiklal”, qendër e popullarizuar tregtie. Autoritetet turke kanë arrestuar një grua siriane, për të cilën policia tha se ishte e lidhur me militantët kurdë dhe e cila ka treguar për vendosjen e bombës.
Autoritetet thanë se udhëzimet për këtë sulm kanë ardhur nga Kobani, qytet sirian afër kufirit me Turqinë.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, edhe pse zyrtarët turq i kanë fajësuar militantët kurdë.