Turqia e shënon 6-vjetorin e puçit të dështuar
Zyrtarët turq të premten e shënuan 6-vjetorin e puçit të dështuar të 15 korrikut të vitit 2016. Raportohet se gjatë trazirave qenë vrarë 251 persona e 2.700 të tjerë qenë lënduar.
Qeveria turke e akuzon për këtë përpjekje klerikun Fetullah Gylen, i cili jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara. Pas këtyre trazirave, Turqia ka arrestuar e burgosur mijëra njerëz, kryesisht nga sistemi i drejtësisë dhe forcat ushtarake, të akuzuar për pjesëmarrje në përpjekje për grusht shteti.
Kryetari i Kuvendit të Turqisë, Mustafa Sentop, tha në Twitter se legjenda e puçit të dështuar do të përcillet nga gjenerata në gjeneratë dhe do të vazhdojë që ta ndriçojë të ardhmen e Turqisë.
Zëdhënësi presidencial, Ibrahim Kalin, e përkujtoi përvjetorin e puçit të dështuar, duke shkruar: “Shpirti i solidaritetit është mjaftueshëm i fuqishëm për t’i parandaluar planet e cilitdo grup terrorist”.