Turqia arreston një hetues privat për shitje të informatave Mossadit, u trajnua në Beograd
Policia turke ka ndaluar shtatë persona, përfshirë një hetues privat, të dyshuar për shitjen e të dhënave shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, raporton agjencia turke e lajmeve, “Anadolu”.
Kjo agjenci citon burime të sigurisë të kenë thënë se hetuesi privat, ish-shërbyes publik, dyshohet për grumbullim të të dhënave rreth kompanive të Lindjes së Mesme dhe individë në Turqi, duke vendosur pajisje për përcjellje e duke u përfshirë në mbikëqyrje, përcjell gazeta “The Times of Israel”.
Burimet thonë se ndalimi i këtyre personave është pjesë e një operacioni të kryer nga agjencia turke e inteligjencës kombëtare, MIT, dhe policia anti-terroriste e Stambollit.
Ankaraja nuk ka publikuar ndonjë deklaratë zyrtare për këtë operacion. Izraeli nuk e komentoi menjëherë raportimin e agjencisë “Anadolu”.
Hetuesi turk u trajnua nga Mossadi në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, dhe pranoi pagesa në kriptovaluta që nuk ishin shfaqur në të dhëna zyrtare, thonë burimet.
Një gjykatë turke në janar e urdhëroi arrestimin e 15 personave dhe dëbimin e tetë të tjerëve të dyshuar për lidhje me Mossadin dhe për shënjestrim të palestinezëve që jetojnë në Turqi, ku jetojnë edhe anëtarë të Hamasit.
Në shkurt, Turqia ndaloi shtatë të dyshuar për shitje të të dhënave Mossadit.