Trumpi thotë se ShBA-ja do ta “marrë përsipër” Rripin e Gazës - NACIONALE

Trumpi thotë se ShBA-ja do ta “marrë përsipër” Rripin e Gazës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, është zotuar se Shtetet e Bashkuara do ta “marrin përsipër” Gazën dhe do ta “zotërojnë atë”, në një njoftim që është shokues edhe sipas standardeve të presidencës së tij me thyerje normash, raporton gazeta “The Guardian”.

Trumpi, që më parë ka sugjeruar që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i ShBA-së, shtoi se Gaza mund të bëhet “riviera e Lindjes së Mesme” dhe refuzoi që ta përjashtonte dërgimin e trupave amerikane për ta marrë kontrollin.

“Arsyeja e vetme pse palestinezët duan që të kthehen në Gaza është që ata nuk kanë alternativë” – tha presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët për gazetarë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë. “Tani ajo është vend i shkatërrimit. Ky është thjesht një vend i shkatërrimit. Pothuajse secila ndërtesë është shembur” – shtoi republikani miliarder.

Duke argumentuar se palestinezët mund ta vazhdojnë jetën e tyre në “paqe dhe harmoni” diku tjetër, Trumpi vazhdoi: “ShBA-ja do ta marrë përsipër Rripin e Gazës dhe ne do të bëjmë një punë me të, gjithashtu. Ne do ta zotërojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për deaktivizimin e të gjitha bombave të pashpërthyera e të rrezikshme dhe armët e tjera në vend.”

“Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë atë, ne do ta marrim përsipër atë pjesë, ne do ta zhvillojmë atë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune dhe do të jetë diçka me të cilën mund të jetë krenare tërë Lindja e Mesme” – tha më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Më vonë, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, në rrjetin X shkroi: “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të udhëhequr dhe për ta bërë Gazën të bukur përsëri. Synimi ynë është për paqe të qëndrueshme në rajon për të gjithë njerëzit.”/Nacionale

Lajme të ngjashme