Trumpi thotë se mendon që Izraeli do t’i tërheqë trupat nga Libani Jugor
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën se mendon që Izraeli do t’i tërheqë trupat nga Libani Jugor, sepse ky shtet dëshiron që ta bëjë atë hap, edhe pse komentet e udhëheqësve izraelitë lënë që të kuptohet e kundërta.
Trumpi tha para gazetarëve në samitin e NATO-s në Ankara se kishte diskutuar për tërheqjen e trupave izraelite me kryeministrin e tyre, Benjamin Netanyahu, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Po, mendoj se ata do ta bëjnë. Mendoj se e dëshirojnë këtë” – tha presidenti amerikan. “Pra, kemi një marrëveshje me Izraelin e Libanin. Po, ata [ushtarët] do të largohen dhe mendoj se do të funksionojë shumë mirë” – shtoi ai.
Netanyahu javën e kaluar e vizitoi territorin libanez të pushtuar nga ushtria izraelite dhe u tha ushtarëve se Izraeli nuk do të tërhiqet nga pjesa jugore e shtetit fqinj për aq gjatë sa Hezbollahu i mbështetur nga Irani të vazhdojë të paraqesë kërcënim.
Qeveritë e Izraelit dhe Libanit më 26 qershor arritën një marrëveshje sigurie të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, sipas së cilës Izraeli do t’ia dorëzojë ushtrisë libaneze dy zona.