Trumpi thotë se “dhurata” e Iranit për ShBA-në ishte lejimi i 10 anijeve me naftë nëpër Hormuz
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se Irani do t’i lejojë 10 anije transportuese të naftës që të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit si gjest i vullnetit të mirë në bisedime.
Trumpi i bëri këto komente në një takim të kabinetit qeveritar në Shtëpinë e Bardhë, duke e përshkruar atë që më parë e ka quajtur “dhuratë” nga Irani, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ata thanë: Për t’jua dëshmuar faktin se jemi realë, të vendosur dhe që jemi aty, do t’ju lejojmë tetë anije me naftë, tetë anije, tetë anije të mëdha me naftë. Më duket se kishin të drejtë dhe ishin realë dhe mendoj se ato [anijet] ishin me flamuj pakistanezë… Në fund ishin dhjetë anije” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të dhënë më shumë hollësi rreth këtyre anijeve.
Komentet e Trumpit erdhën kur ai i bëri thirrje Iranit që të pajtohet për një marrëveshje me të cilën do të hapej Ngushtica e Hormuzit dhe do t’i jepej fund programit bërthamor iranian.
Presidenti amerikan të martën hutoi disa vëzhgues, kur tha se Irani u ka ofruar Shteteve të Bashkuara një koncesion të shtrenjtë që kishte lidhje me energjinë. Atë ditë, Trumpi refuzoi të tregonte se për çfarë saktësisht e kishte fjalën.
“Ata na dhanë një dhuratë dhe dhurata arriti sot dhe ishte një dhuratë shumë e madhe, me vlerë të jashtëzakonshme të parave” – tha të martën kreu i Shtëpisë së Bardhë.