Trumpi: I dhashë Iranit 60 ditë ultimatum për marrëveshje – sot është dita e 61-të
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se para dy muajve i kishte dhënë Iranit ultimatum prej 60 ditësh për të bërë një marrëveshje rreth programit bërthamor të Teheranit dhe se ata është dashur ta pranonin këtë.
“Para dy muajve, unë i dhashë Iranit 60 ditë ultimatum për të bërë një marrëveshje. Ata është dashur ta bënin atë! Sot është dita e 61-të. U tregova se çfarë të bënin, por ata thjesht nuk arritën deri tek ajo pikë. Tani ata kanë, ndoshta, një mundësi të dytë!” – shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social”.
Pak më herët, ai e paralajmëroi Iranin në rrjetin e njëjtë social se situata do t’i rëndohet edhe më shumë, nëse nuk bëhet një marrëveshje për kufizimin e programit bërthamor.
“Irani duhet të bëjë një marrëveshje, para se të mos mbetet asgjë dhe për ta shpëtuar atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane. Jo më vdekje, jo më shkatërrim, thjesht bëjeni këtë (marrëveshjen), para se të jetë shumë vonë. Zoti ju bekoftë të gjithëve” – shkroi para pak orëve kreu i Shtëpisë së Bardhë.