Trump emëron zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, më e reja në historinë e ShBA-së
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka emëruar Karoline Leavitt sekretare të shtypit në Shtëpinë e Bardhë.
Siç raporton “Fox News”, 27 vjeçarja do të jetë zëdhënësja më e re në moshë në historinë e ShBA-së.
Mbrëmjen e së premtes, Trump njoftoi se zëdhënësja e kampanjës së tij, Karoline Leavitt, do të shërbejë si sekretare e shtypit në administratën e ardhshme të tij.
“Karoline Leavitt ka bërë një punë fenomenale si Sekretare e Shtypit gjatë kampanjës time historike, dhe jam i lumtur të njoftoj se ajo do të shërbejë si sekretare e Shtyipit në Shtëpinë e Bardhë.
Karolinë është e zgjuar, e fuqishme dhe e ka vërtetuar se është një komunikuese shumë efektive. Kam besimin maksimal që ajo do të shkëlqejë në podium dhe do të ndihmojë në përcjelljen e mesazhit tonë për popullin amerikan, ndërsa ne, e bëjmë Amerikën përsëri të Madhe.” – ka thënë ai.
Leavitt, do të jetë personi më i ri në moshë që do të mbajë këtë pozitë, derisa Ron Ziegler, ishte 29 vjeçar kur shërbeu si zëdhënës në administratën Nixon gjatë viteve 1969-1974.
“Faleminderit, president Trump, që besuat në mua. Jam e nderuar.” – ka shkruar ajo.