Tre të vdekur nga stuhia e vërshimet në Kaliforni - NACIONALE

Tre të vdekur nga stuhia e vërshimet në Kaliforni

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një stuhi vdekjeprurëse shkaktoi kaos në Kaliforni të ShBA-së të hënën, duke sjellë reshje rekorde të shiut, rrëshqitje dheu shkatërruese e erë të fuqishme që la të paktën tre të vdekur nga rrëzimi i drurëve.

Kati 38 milionë njerëz ndodhen në zonat nën alarm për vërshime në mbarë shtetin jugperëndimor të ShBA-së e deri në Arizonë, përfshirë dhjetë milionë njerëz vetëm në distriktin e Los Angelesit. Të paktën tre persona kanë vdekur nga stuhia, të tre të goditur nga drurë të rrëzuar gjatë motit të lig. Megjithatë, zyrtarët paralajmëruan se rreziku ende fshihet tek uji, niveli i të cilit mund të rritet, raporton gazeta “The Guardian”.

Të hënën pasdite, stuhi u qetësua mbi zonën e Los Angelesit. Sidoqoftë, Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se stuhia do të vazhdojë që ta godasë rajonin edhe të martën.

Stuhia ka sjellë sasi alarmante të shiut. Në disa zona të Los Angelesit ka rënë më shumë se 25 centimetra shi. Në Universitetin e Kalifornisë ka rënë mbi 30 centimetra shi.

Rrugët nëpër komunitetet në zona të pjerrëta të Los Angelesit u shndërruan në lumenj të rrëmbyeshëm, ndërsa disa banorë patën vështirësi për t’u evakuuar. Reporterët lokalë thanë se kishin parë rroba, libra e madje edhe frigoriferë duke lëvizur nëpër rrugët e vërshuara bashkë me mbetje të tjera të marra me vete nga shtëpitë e dëmtuara.

Kryetarja e Los Angelesit, Karen Bass, tha gjatë një konference për gazetarë të hënën se ishte “një ditë e vështirë për qytetin tonë”. Ajo i kishte parë disa nga dëmet e shkaktuara nga stuhia e ashpër dhe tha se është në komunikim të rregullt me guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe me nënpresidenten e ShBA-së, Kamala Harris, të cilët thanë se janë të gatshëm për të ndihmuar.

Lajme të ngjashme