Tre të vdekur nga pasojat e tajfunit “Shanshan” në jug të Japonisë - NACIONALE

Tre të vdekur nga pasojat e tajfunit “Shanshan” në jug të Japonisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një tajfun i fuqishëm e ka përfshirë pjesën jugore të Japonisë. Tre persona tashmë janë konfirmuar të vdekur.

Tajfuni “Shanshan” e preku prefekturën Kagoshima, në ishullin jugor Kyushu, rreth orës 8 të mëngjesit sipas zonës kohore lokale, tha Agjencia Meteorologjike e Japonisë, raporton televizioni BBC.

Kjo agjenci e ka lëshuar “paralajmërimin e posaçëm” të saj, masë e rrallë që përdoret për stuhitë më të fuqishme, vërshimet dhe dëmet e nivelit të lartë. Raportohet se shpejtësia e erës në ishull ka arritur deri në 252 kilometra në orë.

Një çift në të shtatëdhjetat dhe një burrë në të tridhjetat kanë vdekur. Të gjithë ishin pjesë e një familjeje 5-anëtarëshe, shtëpia e së cilës në Gamori u shemb të martën vonë, para arritjes së tajfunit në territorin tokësor.

Dy anëtarët e tjerë të familjes – dy gra në të dyzetat – u shpëtuan pas përpjekjeve që zgjatën tërë natën, raportoi televizioni NHK.

Është parashikuar për reshje deri në 600 milimetra në disa zona në Kyushu, ku jetojnë 12,5 milionë njerëz.

Operatori lokal tha se rreth 255 mijë shtëpi tashmë janë pa furnizim me energji elektrike./Nacionale

Lajme të ngjashme