Tre mërgimtarë humbin jetën në aksident trafiku në Gjermani
Tre mërgimtarë raportohet se e humbën jetën të enjten, pasi vetura me të cilën po udhëtonin doli nga një autostradë në jug të Gjermanisë dhe përfundoi mbi hekurudhë, bëri të ditur policia gjermane.
Vetura doli nga autostrada A3 afër Nittendorfit, në perëndim të Regensburgut, rreth orës 7 të mëngjesit për arsye që mbeten të paqarta. Në aksident nuk ishte e përfshirë ndonjë veturë tjetër.
Edhe pse vetura nuk u përplas me ndonjë tren, tre personat pësuan lëndime fatale dhe vdiqën në vendin e ngjarjes.
Hekurudha Regensburg – Nuremberg dhe autostrada A3 drejt Nurembergut u mbyllën përkohësisht, ndërsa vetura u tërhoq me vinç.
Sipas njoftimit të një familjari në Kosovë, viktimat e aksidentit ishin me prejardhje nga fshati Komogllavë i Ferizajt.