Trafikonin armë dhe lëndë eksplozive, arrestohen tre kosovarë nga Gjilani në Shqipëri
Tre kosovarë janë arrestuar në Tiranë nga Policia e Shqipërisë.
Të arrestuarit janë nga komunat e Gjilanit dhe sipas policisë shqiptare, të arrestuarit ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që merrej me trafikimin e armëve dhe lëndëve eksplozive në drejtim të Shqipërisë..
“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Tiranë, pas një pune hetimore 4-mujore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.”
“Si rezultat i mirorganizmit të punës në kuadër të operacionit policor të koduar “THE SAME”, më datë 04.02.2024, në afërsi të urës së Gjolës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan. Në kuadër të këtij hetimi, u shpallën në kërkim edhe 2 shtetas kosovarë.”
“Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg. Kjo sasi ishte destinuar për t’u përdorur nga grupe kriminale të ndryshme, në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar edhe 3 celularë dhe 1 automjet.” – thuhet në njoftimin e policisë.