Totaj: I gatshëm për të biseduar me partitë e tjera, përveç VV-së e Emilja Rexhepit - NACIONALE

Totaj: I gatshëm për të biseduar me partitë e tjera, përveç VV-së e Emilja Rexhepit

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se tashmë ka arritur një marrëveshje me qytetarët e këtij qyteti për të shkuar në balotazh më 9 nëntor, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor.

Në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani”, Totaj theksoi se është i hapur për bashkëpunim dhe bisedime me të gjitha subjektet politike në Prizren, përveç me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Emilja Rexhepin.

“Një marrëveshje e kam arritur dhe ajo është me qytetarët e Prizrenit, me votuesit e territorit të Prizrenit, që ata të më përkrahin mua për shkak të performancës së mirë dhe për shkak të vlerave që i kemi demonstruar dhe për shkak të planit të mirë që e kemi.”

“Në anën tjetër, ne jemi të hapur për të biseduar me të gjitha partitë, përveç me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Zonjën Emilja Rexhepi, sepse ata kanë arritur koalicion mes veti. Me partitë tjera jemi të hapur për të biseduar,” ka thënë Totaj.

Ai ka bërë të ditur se tashmë ka nisur bisedime indirekte me akterë të tjerë politikë në Prizren për një koalicion të mundshëm, por pa dhënë detaje konkrete.

“Detaje më tepër nuk do të jepja, sepse eventualisht dikush mundet të preket dhe na i dëmton bisedimet e mëtejshme. Ka bisedime indirekte, por prej distancës, jemi duke e përgatitur terrenin,” theksoi Totaj.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kandidati i PDK-së dhe njëherësh kryetari aktual, Shaqir Totaj, ka marrë 566 vota apo 31.73 për qind nga votat e diasporës, ndërsa kandidati i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka marrë 594 vota apo 33.30 për qind.

Të dy kandidatët, Totaj dhe Abrashi, do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit për postin e kryetarit të Komunës së Prizrenit.

Lajme të ngjashme