Thuhet se FBI-ja ka prova të mjaftueshme për ta ndjekur penalisht djalin e Bidenit - NACIONALE

Thuhet se FBI-ja ka prova të mjaftueshme për ta ndjekur penalisht djalin e Bidenit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Agjentët federalë të ShBA-së besojnë se ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për ta ndjekur penalisht djalin e presidentit Biden, Hunter Biden, për krime me taksa dhe për gënjeshtër rreth përdorimit të drogës, kur kishte blerë një armë më 2018, raportuan mediet amerikane, “The Washington Post” e “CBS News”.

Sidoqoftë, prokurori në Delaware, që po e mbikëqyr hetimin e djalit të presidentit, ende nuk ka vendosur nëse do të paraqesë aktakuzë për këtë rast, raportoi e përditshmja e njohur amerikane.

Në shtator, më shumë se 30 senatorë republikanë kërkuan nga prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, që t’i ofronte prokurorit të rastit “mbrojtje dhe autorizime speciale” për ta ruajtur pavarësinë e hetimit.

Avokati i Hunter Biden-it, Chris Clark, i akuzoi agjentët federalë për rrjedhje të paligjshme të informatave dhe kërkoi nga Departamenti i Drejtësisë që ta hetojë dhe ta ndjekë penalisht rrjedhjen e tyre.

Hunter Biden-i kishte konfirmuar se është nën hetime për taksa më 2020, pak pas fitores së babait të tij në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së.

Lajme të ngjashme