Terras dënon ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale të Kosovës - NACIONALE

Terras dënon ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale të Kosovës

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka dënuar ashpër manipulimin dhe ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën në Kosovë.

Në një reagim të premten, Terras tha se në prag të zgjedhjeve lokale, ndikimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë janë bërë sërish të qarta.

"Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë shpallur publikisht mbështetjen e tyre për një parti të caktuar politike të serbëve të Kosovës, kanë shpallur zgjerimin e skemës së ndihmës sociale në Kosovë dhe kanë njoftuar për mundësi të reja afatshkurtra punësimi në institucionet e kontrolluara nga Serbia në Kosovë, gjatë ditëve në prag të zgjedhjeve", thuhet në reagimin e tij.

Raportuesi i PE-së theksoi se veprimet që dirigjohen nga presidenti Aleksandar Vuçiq "synojnë drejtpërdrejt përshkallëzimin e situatës tashmë të ndjeshme në Kosovë dhe janë qartësisht armiqësore".

Terras përmendi gjithashtu ish-vëzhguesen kryesore të Bashkimit Evropian, Nathalie Loiseau, e cila pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit kishte ngritur shqetësime për ndërhyrjen e Serbisë.

Në fund, Terras i bëri thirrje Qeverisë së Serbisë "të ndalojë ndërhyrjet në zgjedhjet në Kosovë dhe t'u lejojë qytetarëve të Kosovës të zgjedhin në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre lokalë".

Lajme të ngjashme