Tentuan t’i tjetërsojnë 21 prona, arrestohen 3 persona në Mitrovicë - NACIONALE

Tentuan t’i tjetërsojnë 21 prona, arrestohen 3 persona në Mitrovicë

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në një aksion ku është parandaluar tentimi për sigurimin e dokumentacionit noterial me qëllim të tjetërsimit të 21 pronave.

Në një njoftim për media nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë, thuhet:

“Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, ekziston dyshimi i bazuar se personat e përfshirë, përmes përdorimit të një dokumenti identifikues të falsifikuar dhe dokumentacionit tjetër përcjellës, kanë tentuar të sigurojnë përpilimin dhe vërtetimin e një autorizimi noterial për disponimin mbi shitblerjen me njëzetenjë prona të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pa vullnetin e pronarit legjitim.

Dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit të pronave, ndërsa fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin përkatës.

Realizimi i veprimeve të dyshuara është parandaluar para përfundimit të aktit noterial, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit janë evidentuar mospërputhje në të dhënat identifikuese dhe është ngritur dyshimi lidhur me autenticitetin e dokumenteve të paraqitura para noterit”.

Tre të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë si dhe u janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike, automjete dhe gjëra të tjera që mund të shërbejnë si prova.

“Gjatë kontrollit të realizuar në pronën e njërit prej personave të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe dokumentacion tjetër në emër të personave të ndryshëm. Prejardhja, autenticiteti dhe qëllimi i përdorimit të këtyre dokumenteve do të jenë objekt i hetimeve të mëtejshme”.

Lajme të ngjashme