Tentim vrasje në Shtime, plagoset një 38 vjeçar - NACIONALE

Tentim vrasje në Shtime, plagoset një 38 vjeçar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Mollopolc të Shtimes, ku një 38-vjeçar është plagosur me armë zjarri rreth orës 12:00. Policia ka njoftuar se i dyshuari, 32-vjeçari E.M., ka qëlluar disa herë drejt viktimës, R.P., duke i shkaktuar plagë të rënda.

Pas sulmit, autori ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në arrati. Viktima ka kërkuar ndihmë pranë një shtëpie afër vendit të incidentit, ku ka marrë ndihmën e parë nga ekipi i emergjencës së QKMF-së.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar rastin për Klankosova.tv, duke shtuar se, me autorizim të prokurorit të shtetit, janë realizuar bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, por ai nuk është gjetur atje.

“Sot, më datë 13.07.2025, rreth orës 12:00, policia ka pranuar një informatë për një rast plagosjeje me armë zjarri në fshatin Mollopolc të Shtimes. Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla e stacionit policor në Shtime, hetuesit rajonalë si dhe njësia e Forenzikës Rajonale. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja. Bazuar në të dhënat e para, dyshohet se si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëparshme, i dyshuari E.M. (32 vjeç), ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës R.P. (38 vjeç), duke e plagosur”.

“Pas incidentit, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Viktima ka kërkuar ndihmë në oborrin e një shtëpie afër vendit të ngjarjes, ku është hasur nga ekipi i emergjencës së QKMF-së dhe i është ofruar ndihma e parë mjekësore. Me autorizim të prokurorit të shtetit, është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit E.M., mirëpo ai nuk është hasur aty dhe aktualisht ndodhet në arrati. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Zyra për Informim do të ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të mëtejmë”, ka thënë Veseli.

Lajme të ngjashme