Temperaturat e larta, parashikuesi i motit këshillon se si të mbrohemi
Koordinatori dhe Parashikuesi i Motit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Besim Aliu, ka njoftuar se temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe për disa ditë.
Ai ka bërë të ditur se kjo është shkaktuar si pasojë e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga jugu.
Ai bëri thirrje që qytetarët të kenë kujdes nga ekspozimi direkt me rrezet e diellit.
“Përdorni sa më shumë ujë të freskët, jo lëngje të gazuara. Mbani kapelë, syze për t’u mbrojtur nga dielli, rroba me ngjyra të lehta nga pambuku ose liri”.
“Të mos konsumojmë ushqime të fërguara, me shumë yndyrë dhe ushqime të shpejta, por sa më shumë ujë të thjeshtë, pemë dhe perime. Jemi në dritën e verdhë sa i përket këtyre vlerave të larta të temperaturave, mirëpo në ditët vijuese kjo situatë meteorologjike mund të krijojë kushte edhe për alarm të kuq, sepse temperatura e ajrit kur kalon më e lartë se temperatura e trupit të njeriut {37C}, atëherë mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin tonë”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.