Temperaturat e larta, nesër gjatë ditës kufizime për kamionët nëpër autoudhë
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se nesër do të hyjnë në fuqi kufizime të përkohshme për qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.
Sipas ministrisë, masa është marrë për shkak të temperaturave të larta që parashikohen gjatë ditës së nesërme, të cilat pritet të arrijnë ose ta kalojnë pragun prej 32 gradë Celsius.
“Kufizimi do të zbatohet në autoudhë në intervalin kohor 11:00 deri në 17:30, ndërsa automjetet e transportit të mallrave me masë mbi 20 tonë nuk do të lejohen të qarkullojnë gjatë kësaj periudhe. Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime, pasi, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim për zbatimin e tyre”, tha ministria në njoftim.
Ministria u ka bërë apel operatorëve të transportit që t’i organizojnë lëvizjet e automjeteve në përputhje me kufizimet e vendosura, në mënyrë që të respektohet vendimi dhe të shmangen pengesat në qarkullim.