Të shtëna në ShBA, katër policë të vrarë e katër të tjerë të plagosur
Katër policë janë qëlluar për vdekje dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë zbatimit të një urdhërarresti në Charlotte të Karolinës së Veriut, thonë zyrtarët.
Të paktën një sulmues i dyshuar u gjet i vdekur në oborrin e një shtëpie të barrikaduar pas një përleshjeje që zgjati tri orë, tha policia.
Autoritetet thonë se dy të dyshuar të armatosur ishin të përfshirë në rast, raporton televizioni BBC.
Ky është njëri nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj zyrtarëve të sigurisë në ShBA në disa dekada.
Policët ishin pjesë e një task-force që po mundohej të zbatonte një urdhërarrest të hënën kundër një të dyshuari që po kërkohej për posedim të një arme zjarri, kur të shtënat shpërthyen në një rrugë në periferi të qytetit.
Policët iu kundërpërgjigjën me zjarr një sulmuesi në oborrin e një shtëpie, pastaj më shumë të shtëna u shkrepën ndaj tyre nga pjesa e brendshme e shtëpisë, tha komandanti lokal i policisë, Johnny Jennings. Ai shtoi se një pushkë me fuqi të madhe u gjet brenda pronës.
“Sot humbëm disa heronj që ishin jashtë thjesht duke u përpjekur që ta mbanin të sigurt komunitetin tonë” – tha para gazetarëve komandanti lokal i policisë.
Sipas tij, ky ishte sulmi më i rëndë ndaj policëve që atij i kujtohet gjatë tri dekadave në shërbim.
Të shtënat dëgjoheshin edhe dy orë pas fillimit të sulmit në një zonë banimi në lindje të qytetit, sipas dëshmitarëve.
Sulmi mori fund, kur policia u fut në shtëpinë që ndodhet në lagjen “Shannon Park”, duke përdorur automjete të blinduara për t’ia hapur rrugën vetes, duke shkatërruar dritare e dyer.
Policia tha se po merren në pyetje dy persona – një grua dhe një djalë 17 vjeç - që ndodheshin brenda shtëpisë me një të dyshuar. Besohet se të paktën njëri prej tyre ka shkrepur në drejtim të policëve./Nacionale