Tash veç edhe Supremja, Cakolli: Certifikimi i rezultateve mund të ndodh në mesin e javës tjetër
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar të gjitha ankesat e partive që kontestonin rezultatin zgjedhor ose që kërkonin ndërhyrje në proces zgjedhor, njoftoi Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim.
“Më së largu në mesin e javës së ardhshme”, parashikon Cakolli, mund të ndodh certifikimi rezultatit final; duke llogaritu edhe kohën për ankesa në Gjykatën Supreme.
Postimi i plortë:
PZAP-ja ka refuzuar të gjitha ankesat e parashtruara nga subjektet politike që kundërshtonin rezultatet zgjedhore apo kërkonin ndërhyrje në proces. Sipas vendimeve, ankesat nuk ishin të mbështetura në prova të mjaftueshme dhe nuk përmbushnin kriteret ligjore për të justifikuar rinumërim apo anulim votash.
Është tejet e rëndësishme që pretendimet për parregullsi duhet të mbështeten në prova bindëse dhe jo vetëm në hamendësime, supozime, trende apo përqindje të larta votash për ndonjë kandidat.
Tashmë, sipas procedurave ligjore, subjektet politike kanë 48 orë nga pranimi i vendimit të PZAP për të ushtruar të drejtën e tyre për apelim në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit ka 96 orë për të shqyrtuar dhe vendosur mbi këto ankesa.
Duke ndjekur dinamikën e deritanishme, nëse paraqiten ankesa në Supreme – me supozimin se as ajo nuk do të dalë përtej argumentimit të PZAP-së – rezultatet do të mund të certifikohen më së largu në mes të javës së ardhshme.