Tarifa 3 euro për shoqëruesit e pacientëve në QKUK, IKD e paditë Ministrinë e Shëndetësisë
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dorëzuar të enjten padi në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës kundër Ministrisë së Shëndetësisë.
Përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar shfuqizimin e disa dispozitave të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2024 – Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore.
Padia kundërshton pikën 4 të Shtojcës 3 dhe pikën 5 të Shtojcës 4 të këtij Udhëzimi Administrativ, të cilat, sipas IKD-së, parashohin obligimin për pagesën prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15 vjeç.
Nder të tjera, në padi thuhet se IKD konsideron se këto pika janë të kundërligjshme, pasi që përmes një akti nënligjor është krijuar një kategori e re tarifimi që nuk gjen bazë në Ligjin për Shëndetësi.