Takohet kabineti i luftës i Izraelit, diskutohet kundërpërgjigjja ndaj Iranit
Kabineti i luftës i Izraelit është mbledhur për ta diskutuar kundërpërgjigjen ndaj sulmit të pashembullt me dronë dhe raketa nga Irani.
Izraeli nuk i bëri publike të dhënat nëse është arritur një marrëveshje, raporton televizioni BBC.
Aleatët e Izraelit i kanë dënuar fuqishëm veprimet e Iranit, por i kanë bërë thirrje qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të tregojë vetëpërmbajtje.
Përderisa Irani ka dhënë shenjë se e konsideron të mbyllur çështjen e sulmit ndaj Izraelit, komandanti i ushtrisë izraelite ka thënë se veprimet e shtetit armik nuk do të mbeten pa përgjigje.
Ish-drejtori i CIA-s, David Petrauesu, i ka thënë televizionit BBC se Uashingtoni nuk dëshiron që ta rrezikojë mirëqenien e ekonomisë globale me ndonjë hakmarrje të Izraelit kundër Iranit.