Tahiri viziton Thaçin në Hagë: Nuk i thashë mirupafshim, shihemi më 16 shtator
Sekretari për Organizim dhe Zgjedhje i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se të martën ka vizituar në qendrën e paraburgimit në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij.
Pas vizitës, Tahiri tha se vazhdon të besojë në pafajësinë e tyre dhe shprehu bindjen se përfundimi i procesit gjyqësor do t’u hapë rrugën për kthimin në Kosovë.
“Sot, kur u ndamë me Presidentin, nuk i thashë ‘mirupafshim’. I thashë: ‘Shihemi më 16 shtator. Kthehemi bashkë në Prishtinë’”, shkroi Tahiri.
Ai tha se vizita e fundit kishte një ndjesi tjetër krahasuar me vizitat e mëparshme gjatë viteve të qëndrimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në paraburgim.
Tahiri tha se gjatë kësaj periudhe ata kanë qenë larg familjeve dhe Kosovës, ndërsa mbështetësit e tyre kanë vazhduar të presin që, siç u shpreh ai, “drejtësia dhe e vërteta të triumfojnë”.