Tahiri: Vdekja e punëtorëve të KEK-ut në vendin e punës, dështim institucional
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri ka akuzuar Qeverinë për mungesë reagimi dhe mbikëqyrjeje të kushteve të punës në institucionet dhe ndërmarrjet publike, pasi dy punëtorë të KEK-ut humbën jetën brenda tri ditësh, si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës.
Në një konferencë për media, duke kritikuar për dështim institucional, Tahiri kërkoi që organet përgjegjëse të ndërmarrin veprime konkrete menjëherë.
“Më 20 gusht, Arbenit Ahmeti humbi jetën duke transportuar kabllot 6 kV. Më 16 gusht, vetëm katër ditë më herët, Haxhi Gojnovci, teknik i xehtarisë, mbeti i vdekur pranë ekskavatorit. Më 15 korrik, Milazim Binaku ndërroi jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Më 27 shkurt, Migjen Sadiku ndërroi jetë në hapësirat e Termocentralit “Kosova B”. Pas secilit prej këtyre emrave është një nënë që pret, një bashkëshorte që mbetet vetëm, fëmijë që pyesin pse babai i tyre nuk u kthye më. Janë punëtorë që shkuan në punë për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre dhe humbën jetën duke bërë punën e tyre”, është shprehur ai.
Tahiri rikujtoi se Qeveria, e cila e ka centralizuar sistemin e inspektimeve, duke krijuar Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm brenda Zyrës së Kryeministrit, por kur ndodhin raste të tilla ata ikin nga përgjegjësia.
“Qeveria nuk mund të jetë njëkohësisht menaxhuese dhe mbikëqyrëse e ndërmarrjeve publike dhe, në fund, të sillet sikur nuk ka asnjë përgjegjësi. Si është e mundur që kur flitet për rritje të prodhimit apo për progres, dalin dhe shprehin krenari, ndërsa në raste të tilla fshihen nëpër xhipa të zinj e prapa perdeve të pushtetit? Kur këto vdekje ndodhin në një ndërmarrje publike, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit, ato bëhen dëshmi e një dështimi institucional. Nëse shteti nuk arrin të mbrojë jetën e punëtorëve të vet, si mund të pretendojë se mbron jetën dhe të drejtat e punëtorëve në sektorin privat?”, tha Tahiri.