Tahiri: Nuk heqim dorë nga kërkesa për Komision Hetimor lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit
Shefi i deputetëve të PDK-së, ka bërë me dije se kjo parti, do të kërkojë edhe në vazhdim themelimin e një Komisioni Hetimor për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe rikthimin e tyre në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ai tha pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit:
“Ne në vazhdimësi kemi ngritur një çështje që është mjaft sensitive dhe për të cilën pushteti, ministria e Drejtësisë dhe persona tjerë përgjegjës rrinë indiferent dhe realisht i ikin përgjegjësisë nga kjo procedurë.
Ju e dini që kemi ngritë pyetje sa i përket fillimisht humbjes së provave të mostrave të zotit Deharit dhe gjetjes së tyre dhe kthimi ttë tyre në Institut.
Ne vazhdojmë të këmbëngulim që edhe në seancat e radhës, propozimi jonë për themelimin e një Komisioni Hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarje, për humbjen e mostrave pastaj gjetjen e tyre.
Pra duhet të hedhet dritë, për të gjithë akterë përgjegjës se si ka ndodhur kjo situatë, që fillimisht të humbin mostrat, ku qëndruan për një vit e gjysmë dhe të kthehen prapë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Nëse Kuvendi heziton ta themelojë, ne do të kërkojmë me seancë të jashtëzakonshme.
Është mirë që qytetarët tonë ta dinë të vërtetën për humbjen e mostrave për një ngjarje që ka ngjallë shumë reagime”, tha Tahiri.