Tahiri: Marrëveshja VV-LDK u arrit, pse ende nuk po thirret seanca e Kuvendit? - NACIONALE

Tahiri: Marrëveshja VV-LDK u arrit, pse ende nuk po thirret seanca e Kuvendit?

2 orë më parë

nga NACIONALE

Deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë vazhduar të paraqiten në Kuvendin e Kosovës, ndërsa deputetët e Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk janë paraqitur në sallë.

Për këtë situatë ka reaguar deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, i cili ka ngritur pikëpyetje lidhur me mos-thirrjen e seancës konstituive, pavarësisht marrëveshjes politike të arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për çështjen e Presidentit.

Sipas Tahirit, qytetarët kanë qenë dëshmitarë të marrëveshjes së arritur mes dy subjekteve politike, por, pavarësisht kësaj, seanca ende nuk është thirrur.

“Bllokimi po vazhdon edhe sot, duke mos u përgjigjur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesuesi i seancës, i cili ka thënë se sapo të ketë marrëveshje politike në mes të partive politike do të thërrasë seancë. Ku jeni, ku është kryesuesi, ku janë VV-ja, ku është LDK-ja? Ata kanë marrëveshje. Populli i Kosovës e pa se ata kanë marrëveshje dypalëshe për Presidentin”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka pretenduar se qëllimi i procesit nuk ka qenë zgjidhja e çështjeve institucionale, por ndarja e posteve.

“A e kuptoni që nga dita e parë qëllimi thelbësor nuk ka qenë as të prodhohet President konsensual, as debat mirëfilli dhe as t’i jepen Kosovës institucione dhe organe që e udhëheqin vendin, por i gjithë diskutimi ka qenë për poste”, ka thënë Tahiri.

Lajme të ngjashme