Tahiri: Kurti e përdoruri dialogun me Serbinë për zhvendosjen e vëmendjes nga problemet e brendshme
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti për dy vite e ka përdorur dialogun si formë për zhvendosjen e vëmendjes publike nga sfidat dhe problemet e brendshme.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Qeveria Kurti përmes taktizimit arriti ta prish koncensusin perëndimor për epilogun përfundimtar dhe dinamikën e dialogut.
Sipas tij, nga këto veprime të qeverisë fitimtare ka dal vetëm Serbia.
“Për më shumë se dy vjet, Kryeministri Kurti ka përdorur dialogun si formë për zhvendosjen e vëmendjes publike nga sfidat dhe problemet e brendshme. Kjo qeveri në emër të shtrirjes së sundimit të ligjit dhe sovranitetit në komunat veriore, prodhoi efektin e kundërt nga ky synim dhe proklamim, i bëri subjekt ndërkombëtar zgjedhjet lokale si dhe vet funksionimin operativ të institucionit policor. Si për secilin shtet të konsoliduar, është e ditur që fuqia e vërtetë e një vendi në rrafshin e jashtëm, qoftë rajonal ose ndërkombëtar, qëndron pikërisht në logjikën e kundërt nga logjika e kësaj qeverie. Nuk mund të kesh pozicion të fortë përfaqësues dhe dialogues, kur nuk keni qeverisje efikase dhe zhvillimore”, ka shkruar Tahiri.