Tahiri: Gjendja në sektorin e energjisë po keqësohet
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar propozimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike.
Gjatë seancës së sotme, ku po diskutohet kjo çështje, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës po dëshiron për herë të gjashtë zgjatjen e këtyre masave, ndërsa nuk ka prezantuar asnjë analizë për gjendjen në këtë sektor.
“Kërkesa për marrjen e masave emergjente tash e gjashtë herë na tregon disa tregues. E para, ka të bëjë me një pyetje hipotetike: A është ka dëshiron Qeveria që 20 muaj të mbaj gjendjen e jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht, gjashtë herë radhazi të marrë masa për këtë? Si është e mundur që për komisionin përkatës , Qeveria përmes Ministrisë të mos jep asnjë analizë, për gjendjen e energjisë elektrike. Kjo gjendje është duke u keqësuar dhe veprimet e Qeverisë janë simbolike”, ka thënë Tahiri.
Edhe dy partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK e kanë kundërshtuar propozimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente.