Syla për hapjen e urës së Ibrit: Ndër përpjekjet e shumta për shtrirjen e sovranitetit, por do të mbetet vetëm në tentativë
Donat Syla, ish-konsulli në Kanada, ka ngritur shqetësimin për kohën e rihapjes së urës së Ibrit, duke sugjeruar se tani mund të mos jetë momenti i duhur për një veprim të tillë. Duke folur për Info Magazine të Klan Kosovës, Syla theksoi rëndësinë e harmonizimit të këtij vendimi me komunitetin e gjerë kombëtar për të siguruar stabilitet.
Syla foli edhe për gatishmërinë teknike të urës, duke shpresuar se ajo i plotëson standardet e nevojshme të sigurisë.
“Fillimisht uroj që qëndrueshmëria teknike e Urës së Ibrit, të jetë në nivelin e duhur, por mjafton që rruga të hapet për këmbësorë, për çiklistët dhe për vetura, nuk ka nevojë për kamionë. Kështu që, sa i përket aspektit teknik, mbase nuk ka nevojë të bëhen të gjitha këto testime me kamionë, sepse ka edhe rrugë alternative nëse duan të shkojnë drejt veriut, mua më duket më shumë si një përpjekje për të gjetur kohën, pasi edhe Qeveria e Kosovës e ka parë që nuk është koha e duhur për ta hapur urën”, u shpreh Syla.
“Është lehtë të japim deklarata pompoze, ose populiste, sepse gjithsecili shqiptarë i Kosovës e dëshiron shtrirjen e sovranitetit të shtetit tonë në çdo cep të tij, mirëpo për shkak të kompleksitetit të çështjes në atë pjesë të vendit, për shkak të reagimit të faktorit ndërkombëtar, si dhe faktorëve të tjerë që janë për sigurinë, paqen e stabilitetin edhe për qenësinë e shtetit, atëherë konsiderojë që edhe ky veprim është njëra ndër përpjekjet e shumta të shtrijnë sovranitetin, por do të mbetet vetëm në tentativë, përderisa nuk do të kemi një koordinim më bashkësinë kombëtare”, tha ai më tej.