Sveçla: Vuçiq po synon destabilizim të Kosovës, pushtim të pjesshëm të saj
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, gjatë një interviste në emisionin 'DPT të Fidani' i ka bërë thirrje presidentit serb Aleksandr Vuçiq që t'i lërë të qetë qytetarët e Republikës së Kosovës, të mos u djegin veturat dhe shtëpitë e tyre dhe të mos i keqtrajtojnë.
Ai deklaroi se serbët e veriut janë të vetëdijshëm për qëllimet e Vuçiqit, të cilat ai i përkufizon si pushtimi i pjesshëm.
“Kam një kërkesë, lërini qytetarët rehat, mos u digjni makinat, shtëpitë, mos i rrihni, mos të vrasin politikanë opozitarë, këto janë detyrat e tij si president i një vendi tjetër, që të mos përzihet në punët e e brendshme e Kosovës. Jam i bindur se Serbisë nuk i duhet një lider autokratik si ai", deklaroi Sveçla mes tjerash.
“Ne i dimë planet e Vuçiqit, destabilizimin e Kosovës, pushtim të pjesshëm të saj”, tha ai.