Sveçla takon komandantin e ri të KFOR-it, diskutojnë për sigurinë në veri
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me Komandantin ri të KFOR, Gjeneralmajor Ozcan Ulutas.
Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla njoftoi për takimin.
“Biseduam për situatën e përgjithshme të sigurisë dhe për sigurinë në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë zyrtari policor Rreshter Afrim Bunjaku dhe dy zyrtarë të tjerë të plagosur”, ka njoftuar Svelça në Facebook.
Tutje, ministri i Brendshëm ka falënderuar Komandantin Ulutas për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të KFOR-it.
“Të dyja palët ndajmë qëllime të përbashkëta të garantimit të sigurisë, paqes dhe stabilitetit për qytetarët tanë në vendin tonë andaj do të punojmë bashkërisht në realizimin e këtij qëllimi”, shtoi ai.
