Sveçla: Shpresojmë që jo, por ka indicie që do të ketë tensione e barrikada - NACIONALE

Sveçla: Shpresojmë që jo, por ka indicie që do të ketë tensione e barrikada

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se shpreson që të mos ketë tensione në veri të vendit më 1 shtator, kur hyn në fuqi vendimi për reciprocitet, por megjithatë, tha se ka indicie që edhe mund të ndodhë.

Sveçla ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë të gatshme të ballafaqohen me çfarëdo lloj situate që mund të krijohet.

“Ne shpresojmë që nuk do të ketë tensione, besojmë që nuk ka arsye. Por, po ashtu ka indicie që edhe mund të ndodhin. Ne jemi të përgatitur të ballafaqohemi me çfarëdo lloj situate, insittucionet tona janë të pjekura, të forta dhe të gatshme që t’i dalin në krye çfarëdo detyre të ligjshme që ata marrin. Por, kemi edhe mbështetjen e pakursyer të faktorit ndërkombëtar”, ka thënë ai në “Klan News”.

Pyetur se nga i kanë marrë këto informacione, Sveçla pohoi se në terren, por edhe nga ndërkombëtarët.

“Të dyja bashkë. Po i organizon drejtpërdrejtë Beogradi, Vuçiq, Vulin. Mund të vendosin barrikada, mund t’i sulmojnë institucionet, ashtu siç kanë bërë muajt e fundit”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Sveçla kishte deklaruar se do të bënte fushata sensibilizuese në veri për t'i bindur qytetarët tanë serbë që të respektonin vendimin e Qeverisë për targat dhe dokumentet e qarkullimit.

Lajme të ngjashme