Sveçla pezullon nga detyra 6 zyrtarë të MPB-së pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare - NACIONALE

Sveçla pezullon nga detyra 6 zyrtarë të MPB-së pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Riza Alshiqi, është pezulluar nga detyra në ndjekje të rastit të dyshuar të keqpërdorimit të detyrës për përfitime të biznesit të tij "Rent a car", duke dëmtuar kështu asetet shtetërore.

Njoftimi i Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në Facebook konfirmoi një gjë të tillë, duke bërë të ditur se Riza Alshiqi dhe pesë zyrtarë të tjerë të të njëjtit departament janë pezulluar nga detyra.

Njoftimi i plotë i ministrit Sveçla:

Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njejti bashkë me 5 zyrtarë të të njejtit departament sot janë pezulluar nga detyra.

Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë.

Kujtojmë se ditë më parë, ministri Sveçla kishte kërkuar hetim ndaj zyrtarit Alshiqi, që shfrytëzon parkingun e pronës së këtij institucioni për vetura me qira.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, jemi angazhuar maksimalisht që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kemi vepruar pa asnjë mëdyshje. Mbi 300 zyrtarë publikë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.” - shkruante Sveçla.

Lajme të ngjashme